Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot gjatë një vizite pune në Bruksel, në kuadër të së cilës hapi skriningun e parafundit dypalësh për kapitullin 30 kushtuar marrëdhënieve me jashtë, deklaroi se procesi i shqyrtimit po zhvillohet me sukses dhe sipas dinamikës së përcaktuar, përcjell KlanM. Procesi i skriningut sipas tij, përfundon nesër më 7 dhjetor, ndërsa shtoi se në periudhën 15 mujore janë realizuar gjithsej 100 ditë pune, janë bërë 850 prezantime nga 206 institucione, ku kanë marrë pjesë afërsisht 1000 pjesëmarrës.
Kovaçevski, siç përcjell KlanM, tha se për vendet e Ballkanit Perëndimor janë përgatitur 2 miliardë euro në formë grantesh.
“Konstatimi i KE-së është se ne kemi një nivel solid të përputhshmërisë. Pasojnë udhërrëfyesit, të cilat janë detyrimi ynë që buron nga Korniza Negociatore, të cilat nga ana e tyre janë kusht për hapjen e klasterit të parë. Plani i Rritjes, i cili u prezantua nga presidentja Von der Leyen dhe të cilin ne, vendet e Ballkanit Perëndimor e kërkonim, ka gjithashtu një rëndësi të madhe për vendin. KE ka përgatitur dhe dorëzuar Planin dhe është vërtet inkurajues. Plani i rritjes është pikërisht ai që prisnim – i përpunuar, funksional dhe i fokusuar në disa prioritete që e bëjnë atë të arritshëm, jo thjesht një plan tjetër me qëllime të paarritshme. Ky plan do t’i japë një shtysë të re, të fortë procesit të integrimit evropian. Me realizimin e tij, i cili varet edhe nga BE-ja, por mbi të gjitha nga ne, vendet e Ballkanit Perëndimor do të dyfishojnë përmasat e ekonomisë së rajonit dhe të vendit përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik”, tha mes tjerash kryeministri Kovaçevski nga Brukseli./KlanMacedonia