“ANËTARËSIMI DERI NË VITIN 2030 ËSHTË QËLLIM AMBICIOZ, POR JO I PAMUNDUR”
Kryeministri Kovaçevski nga Brukseli, porositi deputetët e Maqedonisë së Veriut se, ndodhen para një sfide të madhe dhe arritjen e qëllimeve të përbashkëta nacionale dhe shoqërore, duhet ta vendosin para dallimeve politike dhe ideologjike, përcjell KlanM.
“Disa vendime duhet t’i sjellim për gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, ardhmëria e tyre është mbi gjitha dallimet politike dhe ideologjike. Pa dallim të përkatësisë partiake, deputetët janë zgjedhur nga qytetarët, për këtë duhet të tregojnë konstruktivitet në emër të qytetarëve, duhet të tregojnë unifikim për mirëqenien e qytetarëve tanë dhe shoqërisë sonë”, tha Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski shtoi se, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është qëllim ambicioz por jo i pamundur. Sipas tij, procesi i anëtarësimit në BE është i komplikuar, por kërkon vazhdimësi, vullnet të fortë, duke pretenduar se qeveria ka një plan të qartë për reformimin e shoqërisë.
“Jemi të gatshëm për këtë sfidë dhe provim, ndërsa kemi edhe mbështetje të plotë nga Komisioni Evropian për përshpejtimin e tempos së negociatave qasëse. Kemi mbështetje të plotë nga institucionet evropiane, nga shtetet anëtare, nga përfaqësuesit e lartë evropian. Prezenca juaj te ne dhe respektimi i vendit dhe popullit tonë është porosi e qartë se kemi miq dhe aleatë në BE dhe se Maqedoninë e Veriut e shihni si shtet anëtar të ardhshëm të Unionit”, tha Kovaçevski.
Ndërkaq, duke folur për planin e BE-së për zhvillim të ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, kryeministri tha se, përmes tij do të nxitet prosperiteti ekonomik, do të hapen vende të reja të punës, do të përmirësohet standardi jetësor i qytetarëve dhe do të hapen mundësi për kompanitë vendore për qasje në tregun e BE-së./KlanMacedonia