Kovaçevski: Nevojitet konsensus shoqëror për procesin e integrimit në BE

“OPOZITA TË VENDOSË NËSE ËSHTË PËR INTEGRIM NË BE APO IZOLIM”

Të gjithë në vend duhet ta kemi të qartë se, nuk do të ketë marrëveshje më të mirë, nuk do të ketë marrëveshje të re, nuk do të ketë kornizë tjetër negociuese për anëtarësim në BE, porositi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Në një intervistë për agjencinë MIA, ai tha se, nevojitet konsensus nacional shoqëror që përfundimisht të realizohet qëllimi strategjik për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Kovaçevski theksoi se nuk do të ketë kërkesa të reja nga Bullgaria dhe se për këtë ka garanci të forta nga liderët më të lartë të BE-së dhe nga vetë Bullgaria.

“Gjërat janë mjaft të qarta, nuk mund të ketë kushtëzime të reja për ne. Ishin të qarta edhe porositë nga komuniteti ndërkombëtar se nuk do të ketë kërkesa të reja. Po ashtu, edhe Bullgaria në disa raste konfirmoi të njëjtën. Presidenti i Bullgarisë, Radev, nënkryetarja Jotova, Ministria e Jashtme bullgare, të gjithë ata ishin shumë të qartë në deklaratat se, nuk do të ketë kushte të reja, pritjet janë se do të përmbushen kushtet e dakorduara në Kornizën Negociuese. Kështu që, nuk ka hapësirë të mendojmë në atë drejtim se po hyjmë në vorbull të kërkesave të reja. Kërkesat më tej do të jenë reformat” – tha Kovaçevski.

Sa i përket qasjes së opozitës për procesin e ndryshimeve kushtetuese, kryeministri tha se, opozita duhet të ndërtojë qëndrim dhe të vendosë nëse është për integrim në BE në mënyrë reale dhe thelbësore apo është për izolim.

“Nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese, ne jemi të gatshëm që ditën vijuese të shkojmë në zgjedhje dhe ajo është e qartë. Deputetët tani kanë punë shumë më të rëndësishme se sa të bëjnë fushata zgjedhore dhe kalkulime për karrige ministrore, të deputetit apo të drejtorit. Deputetët tani kanë detyrën më të rëndësishme, do të thosha, ndërsa ajo është të sigurojnë ardhmëri evropiane dhe perspektivë të vendit, të qytetarëve që u kanë dhënë mandatin” – deklaroi Kovaçevski.

Maqedonia e Veriu vitin e kaluar filloi negociatat për anëtarësim në BE, pas 17 vite pritje për shkak të kontestit të emrit që kishte me Greqinë. Aktualisht, vendi ndodhet në procesin e skriningut, i cili pritet të përfundojë deri në nëntor të këtij viti. Pas kësaj, vijon faza e hapjes së kapitujve të negociatave. Megjithatë, kusht për hapjen e klasterit të parë, është ndryshimi i Kushtetutës së vendit, me çka parashihet përfshirja e bullgarëve në kushtetutë. Seanca parlamentare për këtë është caktuar për më 18 gusht. /KlanMacedonia/

                          

Lexo gjithashtu
Total
0
Share