Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me Pol Mekarti, drejtor rajonal për Evropë i Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI).
Në takim, siç thuhet, është diskutuar për çështje aktuale me rëndësi për vendin, rajonin dhe Evropën, përcjell KlanM.
Në këtë drejtim, është vlerësuar se është thelbësore që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të ecë përpara, pas anëtarësimit në NATO dhe drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Kjo, siç është konstatuar, do të sigurojë cilësinë e jetës së qytetarëve në vend, në drejtim të përmirësimit të standardit të jetesës, cilësisë së shërbimeve, sundimit të ligjit, që janë interesa kyçe qytetare.
“Qeveria dhe unë si kryeministër jemi aktivisht të përkushtuar ndaj perspektivës. Sot, vendi është një anëtar i barabartë i NATO-s. Ne hapëm negociatat me BE-në, duke mbrojtur gjuhën dhe identitetin maqedonas. Ne kemi zgjidhur sfidat aktuale të situatës në Ukrainë, përmes një partneriteti të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe miqtë evropianë. Dhe ajo që duhet është arsyeja e shëndoshë nga të gjitha subjektet politike, se shansi për të bërë një hap të ri përpara është tani”, tha kryeministri Kovaçevski./KlanMacedonia