Kovaçevski: Maqedonia e Veriut mori vendimet më të vështira, por alternativë tjetër nuk kemi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën e mbrëmshme për “RTV Sllovenija” folur më shumë për vendimet e vështira që ka marrë Maqedonia e Veriut në rrugën e integrimeve evropiane.

“Deri tani kemi marrë një sërë vendimesh të vështira, duke filluar nga viti 2001 me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, pastaj me Marrëveshjen e Prespës, me marrëveshjen me Greqinë, si dhe me pranimin e kornizës së negociatave dhe Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Mund të them se pas gjithë atyre marrëveshjeve, Maqedonia e Veriut gjithmonë doli fituese”, tha Kovaçevski.

Lidhur me mundësinë e marrëveshjes me opozitën, Kovaçevski tha se do të hapet procesi i përgatitjes së ndryshimeve kushtetuese, i cili do të jetë pjesë e punës së grupit punues të formuar në Ministrinë e Drejtësisë, ku do të jenë ekspertët më të mëdhenj të të drejtës kushtetuese në vend dhe përfaqësuesit e partive politike do të përgatisin amendamentet.

“Do të ketë një diskutim të gjerë ndërmjet komunitetit të biznesit, komunitetit akademik, sektorit joqeveritar, mediave, në mënyrë që të gjithë qytetarët të informohen dhe më pas përmes një diskutimi parlamentar, jam i bindur se Maqedonia e Veriut do të ketë demokracinë dhe vizionin, kapacitet për të marrë këtë vendim me të cilin do të vazhdojmë drejt integrimeve evropiane”, tha Kryeministri.

Kovaçevski shtoi se mbështetja e Maqedonisë së Veriut në aspiratat e saj për anëtarësim të plotë në BE, nga miqtë e NATO-s dhe BE-së është e një rëndësie të madhe.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share