OSMANI: VEPRAT TONA SOT – TRASHËGIMI PËR TË ARDHMEN TONË DHE OSBE-së
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, paralajmëroi se nuk do të takohet me Ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Ai u shpreh kategorik se ardhja e Lavrovit në Shkup, nuk paraqet triumf të diplomacisë ruse.
“Absolutisht nuk është fitore diplomatike e Rusisë. Kjo është fitore e OSBE-së, për shkak se ishte vënë në pikëpyetje funksionimi i OSBE-së. Me këtë OSBE do të vazhdojë të funksionojë dhe të jetë garantuesi i sigurimit të zhvillimit të proceseve demokatike në Evropë” – tha Kovaçevski.
Lufta në Ukrainë minon themelet e OSBE-së, tha Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij në Samitin e OSBE-së, duke potencuar se prioriteti kryesor i Kryesimit të RMV-së me OSBE-në ka qenë mbështetja thelbësore për Ukrainën.
“Çdo ditë e kaluar dhe jetët e humbura, janë konfirmime se agresioni ushtarak paraqet akt të shkeljes flagrante të Kartës së OKB-së, parimet e OSBE-së, si dhe premisave themelore të së drejtës ndërkombëtare, por para së gjithash vlerave të humanitetit” – deklaroi Kovaçevski.
Duke u bërë thirrje Ministrave të Jashtëm për bashkim në angazhimet e OSBE-së, Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, hapi Këshillin Ministror të 30-të të OSBE-së, i cili gjatë këtyre dy ditëve po mbahet në Shkup. Temat e Samitit, mes tjerash, janë edhe agresioni rus në Ukrainë dhe funksionimi I OSBE-së
“Pavarësisht realitetit të zymtë të luftës me të cilën ballafaqohet Ukraina dhe konflikteve të tjera të zgjatura në rajonin më të gjerë të OSBE-së, multilateralizmi mbetet mjeti më i mirë për parandalimin e konflikteve dhe tejkalimin e dallimeve dhe kontesteve. OSBE-ja, si organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, është e njohur dhe vlerësohet si partner i domosdoshëm dhe i besueshëm për paqe dhe stabilitet” – tha Bujar Osmani.
Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmit, gjatë fjalimit të saj, theksoi se OSBE-ja është e domosdoshme për strukturën e sigurisë në botë. Ajo potencoi se OSBE-ja do të vazhdojë të kërkojë mbështetje për Ukrainën, si dhe mbështetje për institucionet demokratike të vendeve anëtare. /KlanMacedonia/