Kovaçevski: Investitorët e huaj na njohin si destinacion të favorshëm për investime të reja

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski, mori pjesë dhe foli në shënimin e fillimit të punimeve të ndërtimit të fabrikës së re, investim e “Magna Mekatroniks”, e cila prodhon sisteme të integruara të komponentëve mekanikë dhe elektronikë dhe është një nga grupet e kompanisë kanadeze “Magna International”.

“Magna International” është një nga kompanitë më të njohura në botë, e specializuar në projektimin, zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve, moduleve dhe komponentëve të automobilave që dërgohen për të gjithë prodhuesit kryesorë të makinave në botë. Bëhet fjalë për zgjerimin e fushës së punës së kompanisë me një projekt të ri investues, krahas fabrikës së kompanisë në ZZHTI Strugë.

“Ky investim plotëson listën e investimeve të mëdha më të rëndësishme të kompanive të njohura botërore, të cilat zgjedhin vendin tonë si destinacion investimi. Ky është një sinjal i qartë se Maqedonia e Veriut ofron një mjedis biznesi të favorshëm dhe të parashikueshëm për kompanitë, për investime të reja. Është rezultat i politikave tona strategjike, si anëtarësimi në NATO, si dhe fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian. Ardhja e kompanive të huaja të njohura tek ne do të thotë një rejting më i lartë i investitorëve, hapje vendesh të reja pune dhe më të paguara, dhe për qytetarët tanë paga më të larta dhe mundësi për të provuar profesionalizmin dhe aftësitë e tyre në tregjet botërore. Zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial janë motori i ekonomisë sonë dhe kompani si “Magna Mekatroniks” janë kompani që rrisin jo vetëm numrin e vendeve të punës në vend, jo vetëm BPV-në, por edhe reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë”, tha Kryeministri Kovaçevski, gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve në manifestim.

Kryeministri Kovaçevski, duke përmendur investimet e fundit të rëndësishme, përfshirë ato të “Gerejshajmer” dhe “Jageo”, theksoi rezultatet e arritura në zonat zhvillimore teknologjiko-industriale.

“Numri i të punësuarve në zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial në prill të këtij viti shënoi sërish rritje dhe arriti në 16700, që është 15% më shumë se prilli 2022, pra 20% më shumë se 2021. Vazhdon rritja e eksporteve, të cilat në muajin prill arritën në 1.2 miliardë euro. Vetëm në muajin prill kompanitë në ZZHTI realizuan eksporte prej 277 milionë eurosh, që është 12% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Vërehet edhe një rritje e të hyrave në buxhet, ku kompanitë e zonave kanë paguar 35% më shumë mjete në Buxhetin e Shtetit në vitin 2022 krahasuar me 2021. Domethënë, për një euro të paguar nga shteti, kompanitë kthejnë në buxhet të paktën katër euro. Maqedonia e Veriut si histori suksesi do të dëgjohet gjithnjë e më shumë! Ecim përpara dhe vetëm përpara, me suksese të reja, me investime të reja, hapim vende të reja pune dhe zhvillojmë ekonominë vendase”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në manifestim.

Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski, theksoi se është kënaqësi që pas një viti të negociatave të marr pjesë në gurthemelin e fabrikës së re të “Magna Mekatroniks”.

“Me këtë investim sigurojmë të drejtën për një jetë të denjë për të paktën 100 bashkëqytetarë tanë nga ky rajon me paga 20% mbi mesataren shtetërore. Ky është shembull dhe model i vërtetë i bashkëpunimit të politikanëve dhe institucioneve përgjegjëse përmes të cilit tregojmë se mund të japim rezultate konkrete për qytetarët. I shpreh mirënjohjen time Kryeministrit Kovaçevski për mbështetjen vetëmohuese që nga fillimi i negociatave dhe për mbështetjen e tij në momentet kyçe që procesi të ecë më shpejt”, tha drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski duke falënderuar ekipin e ZZHTI dhe kryetarit të komunës së Shtipit, Ivan Jordanov për mbështetjen e projektit.

“Objekti ynë i dytë në Maqedoninë e Veriut përfaqëson një tjetër moment historik në rrugëtimin tonë për të zgjeruar punën dhe aftësitë tona në rajon, si dhe për të mbështetur klientët tanë me produkte inovative të klasit botëror. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që na është dhënë nga Qeveria dhe mbetemi të përkushtuar në eksplorimin e mundësive shtesë të rritjes”, tha zëvendëspresidenti i Magna International, David Krespi në fjalimin e tij në këtë ngjarje.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share