Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor në mëngjesin e së dielës në Banjskë të Zveçanit.
Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme de-përshkallëzimi i situatës dhe që palët të ulen në tryezën e dialogut.
Sipas Kovaçevskit, e vetmja mënyrë për të siguruar progres dhe stabilitet në rajon, si dhe reduktimin e ndikimit të palëve të treta destabilizuese, përshpejtimi i integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor
“Ne e përcjellim situatën në Kosovë me shqetësim të madh dhe jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë. I dënoj fuqishëm ngjarjet që ndodhën sot dhe shpreh mbështetjen time të plotë për KFOR-in për të gjitha aktivitetet e ardhshme që synojnë garantimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, shkroi Kovaçevski.
“Për sa i përket situatës së sigurisë në vend, qytetarët mund të jenë të qetë – ajo është e qëndrueshme, pa asnjë tregues për shqetësime të mundshme. Të gjitha institucionet përgjegjëse për sigurinë po monitorojnë me vigjilencë situatën. Gjithashtu sipas informacioneve të shkëmbyera ndërmjet shërbimeve të inteligjencës së sigurisë në vend si dhe informacioneve të marra nga shërbimet e aleatëve tanë në aleancën e NATO-s, nuk ka indikacione që tregojnë për shkelje të sigurisë në Maqedoninë e Veriut”.
“Apeloj për një de-përshkallëzimin e ngjarjeve në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë paqësore dhe demokratike. Përshpejtimi i integrimeve euroatlantike në Ballkanin Perëndimor është vendimtar, është e vetmja mënyrë për të siguruar progres dhe stabilitet në rajon, si dhe reduktimin e ndikimit të palëve të treta destabilizuese. Rajoni duhet të ecë përpara, qytetarët meritojnë prosperitet, një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese”.