Ka përfunduar takimi i liderëve të partive politike i zhvilluar në Kuvendin e Maqedonisë. Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, siç përcjell KlanM, pas takimit deklaroi se më në fund vendi do të shkojë në zgjedhje të rregullta parlamentare dhe për këtë i dha meritë vetes dhe qeverisë së tij, që ka krijuar, sipas tij, stabilitet politik në vend.
Për datën e zgjedhjeve, Kovaçevski u shpreh se ka propozuar zgjedhje të dyfishta, parlamentare dhe presidenciale, në fund të prillit dhe fillim të majit,
“Natyrisht, duhet të kemi parasysh kufizimet ligjore, por i kushtojmë vëmendje edhe festave të ardhshme fetare, që në fakt janë i gjithë muaji prill, që është muaji i Ramazanit dhe Pashkët janë në fillim të majit. Duke pasur parasysh të gjitha këto, në takim propozova datat për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, 24 prill për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe 8 maj për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale si dhe zgjedhjet parlamentare”, deklaroi Kovaçevski./KlanMacedonia