Parlamenti Evropian (PE) e ka nisur të martën procedurën e miratimit të propozimit të Komisionit Evropian (KE) për planin e rritjes dhe reformave për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron një shumë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh ndihmë shtesë financiare.
Kosovës dhe Serbisë do t’u kërkohet specifikisht të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve.
“Parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit për zbatimin, si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara në dialog dhe të angazhohen në negociata për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në propozimin e rregullores.
Për t’u zyrtarizuar ky plan është i domosdoshëm pajtimi ndërinstitucional në Bashkim Evropian (BE), që kërkon edhe miratimin nga Parlamenti Evropian. Parlamenti është nën presion për ta aprovuar sa më shpejt këtë vendim për shkak se në prill do ta mbajë seancën e fundit plenare me këtë përbërje, para zgjedhjeve të reja të PE-së në qershor./rel/