HAXHIU: NË KOHËN E ISH-KRYEMINISTRIT HARADINAJ, KY VENDIM ËSHTË KONSIDERUAR ANTI-LIGJOR
Në Kosovë ulja e pagave për prokurorët dhe gjykatës ka shfaqur reagime të shumta. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se kjo ka ndodhur pasi në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ky vendim është konsideruar anti-ligjor.
Një ditë pas uljes së pagave për prokurorët dhe gjyqtarët ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se kjo ka ndodhur pasi në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ky vendim është konsideruar anti-ligjor.
Sipas saj ligji i pagave do të bëjë nivelizim të pagave dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet anti-Kushtetues.
”Siç e dini në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, janë shfuqizuar dy Ligje dhe qëllimi i tyre është që të bëhet reforma në administratën publike dhe të mos bëhet dallime në paga” – deklaroi Albulena Haxhiu.
Këtë vendim e ka kundërshtuar LDK-ja duke e konsideruar si goditje në sistemin e drejtësisë.
Dek. Shkëmb Manaj- LDK
“Kjo është Qeveria e vetme në botë që në kohë të inflacionit i ul pagat, kjo është një nga goditjet më të rënda. Vendimi skandaloz cenon punën edhe ashtu të cenuar. Ulja e pagave nënkupton ikjen nga sistemi i drejtësisë, nënkupton ngadalësimin e trajtimit të rasteve”.
Ish kryeministri Haradinaj ka thënë se kryeministri duke përgjysmuar pagat për prokurorët dhe gjyqtarët ka goditur mbrojtjen e shtetit dhe drejtësisë.
Shoqata e Prokurorëve përkrah vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për reduktimin e punëve të prokurorive vetëm me shërbime esenciale.
Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përcaktuar listën e shërbimeve esenciale që do të kryhen nga gjykatat deri më 8 dhjetor.