Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniçi. Osmani, pas pranimit të kërkesës së kryekuvendarit për zëvendësimin e deputetëve serbë të dorëhequr, ka kërkuar nga KQZ-ja rekomandimin e emrave për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
“Zyra e Presidentes ka pranuar kërkesën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe. Pas pranimit të kërkesës, Presidentja i është drejtuar KQZ-së për të pranuar rekomandimet e emrave për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr “, tha Kupina.
Lista Serbe, më 5 nëntor, bëri të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Dorëheqje nga pozitat e tyre dhanë edhe kryetarët e komunave veriore të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Ende nuk dihet se kur në këto komuna do të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe kjo pritet të bëhet e ditur ditëve në vazhdim.