SAMITI BE – BALLKANI PERËNDIMOR
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, për mospjesëmarrje fizike në Samitin e përbashkët BE- Ballkanit Perëndimor në Tiranë.
Në një një postimi në Facebook, Krasniqi këtë e ka quajtur papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet parësore të kryeministrit.
“Kryeministër, ku je? Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në Planin e Rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar. Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla.Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian” – tha Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
Ndërkohë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar Kurtin se ka zgjedhur rrugën e largimit nga NATO-ja.
Kryeministri Albin Kurti në samit është paraqitur virtualisht. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti nuk merr pjesë në organizime të ngjashme nga Tirana zyrtare.
Në korrik të vitit të kaluar ai kishte munguar në Samitin e Procesit të Berlinit me arsyetimin se ndodhej në Greqi. Ai kishte munguar edhe në Samitin e Diasporës që u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në Tiranë.