Kosovë: Një fëmijë humb gishtërinjtë në natën e Vitit të Ri

Në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar gjithsej 290 raste.

25 prej tyre janë të lënduar nga mjetet piroteknike.

Lidhur me këto raste ka folur mjeku kujdestar në QKUK, Avdush Bajgora.

Bajgora tha se një fëmijës iu kanë amputuar dy gishtërinj, ndërkaq një pacient i lënduar nga plumbi qorr, i cili i është nënshtruar operacionit dhe momentalisht është duke u trajtuar në Kirurgji.

Ai tha për KosovaPress, se gjithashtu janë katër raste të lëndimit të syrit, ku dy prej tyre si rezultat të depërtimit të thërrmijave të mjetit piroteknike, kanë lënduar kornenë e syrit, transmeton Klankosova.tv.

“Gjatë 24 orëve në Qendrën Emergjente deri më tani kanë kërkuar ndihmë gjithsej 290 pacientë, duke marrë parasysh 250 kanë qenë mbrëmë, dhe ndërrimin e sotshëm gjithsej 50 pacientë kanë kërkuar ndihmë. Prej tyre 25 pacientë kanë qenë të lënduar nga mjetet piroteknike dhe lëndimet kanë qenë të ekstremiteteve, ku duhet të veçohet një fëmijë që ka dy gishtërinj të amputuar të dorës së majtë, kemi një pacientë të lënduar me plumb qorr, pacienti i është nënshtruar operacionit, i cili momentalisht ndodhet në Kirurgji. Gjithashtu, ka pasur raste të lëndimit të syrit, gjithsej 3-4 pacientë, prej të cilëve dy si rezultat të depërtimit të thërrmijave të mjetit plasës, kemi penetrimin e kornesë të syrit”, ka thënë Bajgora.

Mjeku Bajgora theksoi se këtë vit vetëdijesimi i qytetarëve është shumë më i madh sesa vitet e kaluara, pasi kanë një numër më të vogël të pacientëve të lënduar nga mjetet piroteknike.

“Sa i përket fatkeqësisë në trafik nuk ka pasur shumë dhe gjendja e pacientëve është stabile. Mund të ceku se vetëdijesimi i masës, është shumë më i madh sesa vitet e kaluara, dhe kemi një numër jashtëzakonisht të vogël në krahasim me vitet e kaluara, të pacientëve të lënduar nga mjetet piroteknike”, ka shtuar ai.

Sipas tij, familjarët duhen të jenë sy hapur, sidomos te fëmijët që të mos të jenë në kontakt me mjetet piroteknike.

“Ne gjithmonë apelojmë tek familjarët sa i përket kujdesit të familjarëve, mund të them që të jenë sy hapur, sidomos tek fëmijët që të mos t’i lënë në kontakt me mjete piroteknike, të cilat mund të jenë edhe me fatalitet dhe sidomos me lëndime të ekstremitetit dhe lëndime të syve”, ka deklaruar ai.

Mosha e të lënduarve është e ndryshme, duke filluar që nga fëmijët e deri tek 60-vjeçare.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share