“OPTIMIST PËR MUNDËSITË PËR NJË ZGJIDHJE PAQËSORE MES KOSOVËS DHE SERBISË”
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabrier Escobar pret rezultate pozitive nga takimi i së shtunës në Ohër.
Gjatë vizitës në Kosovë pas takimit që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani Escobar ka thënë se SHBA-ja përkrahë çdo mundësi që rajonin e çon drejt integrimit euroatlantik.
“Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësi për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtare të plota të komuniteti euroatlantik” – tha Escobar.
Sipas tij propozimi evropian është mundësi e jashtëzakonshme paqeje.
“Ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së jep një mundësi të jashtëzakonshme për paqe dhe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën por tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes por edhe krejt Evropës. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira” – deklaroi Escobar.
Presidentja Vjosa Osmani, pret rezultate positive nga ky takim.
“Në besojmë që një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë rezultat përmes kushtëzimeve mund ta dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut” – tha Vjosa Osmani.
Escobar ka zhvilluar takime të ndara edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca.
Një natë më parë ai ka takuar edhe kryetarët e partive politike opozitare.