Kosovë: Dhjetëra të arrestuar për trafikim me emigrantë

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar 18 persona nën dyshimet për trafikim me emigrantë. Sipas Policisë, dyshohet se emigrantët, kryesisht aziatikë, kanë hyrë ilegalisht nga Shqipëria, janë dërguar në pjesën veriore të Kosovës, dhe destiacioni i tyre i fundit ishte për në shtetet perëndimore.

Hetimet kanë nisur në muajin mars të këtij viti dhe më 14 korrik është arrestuar një shtetas sirian me inicialet M.A, që dyshohet se ka organizuar kontrabandën me emigrantë.

Ndërkaq, më 30 korrik, Policia tha se realizojë operacionin e koduar “Shkoza”. Në fshatin Shkozë të Prizrenit, autoritetet e rendit thanë se kryen kontrolle në tri lokacione.

“Në njërin nga lokacionet një i dyshuar tentoi t’i godasë me veturë zyrtarët policorë. Ai është arrestuar për ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe dërguar në mbajtje, ndaj tij është veçuar lënda nga të dyshuarit tjerë të përfshirë në ‘kontrabandë me emigrantë’”, thuhet në njoftim.

Në operacionin e 30 korrikut janë arrestuar 16 të dyshuar për kontrabandim me emigrantë dhe një për armëmbajtje pa leje.

“Nga të dyshuarit janë sekuestruar katër armë zjarri, 95 copë fishekë, tre autobusë, dy vetura, dy radiolidhje dhe 17 telefona celularë”, thuhet në njoftim.

Policia tha se pas intervistimit, 17 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërkaq ndaj njërit rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Që nga viti 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet si transit për në BE./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share