Për të mbështetur tranzicionin e gjelbër në Kosovë*, Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka nënshkruar një kredi investimi prej 33 milionë eurosh për ndërtimin e centralit më të madh fotovoltaik diellor me kapacitet deri në 100 MWac (120 MWp) në afërsi të Prishtinës. Duke rritur kapacitetin dhe përqindjen e energjisë diellore në prodhimin e energjisë, projekti do të kontribuojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, tranzicionin më të shpejtë të gjelbër dhe rritjen ekonomike në rajon. Pas përfundimit, centrali pritet të prodhojë rreth 169 GWh energji elektrike dhe të shmangë mesatarisht 174,000 tonë CO2 në vit.
Investimi vjen në kuadër të mbështetjes së Team Europe, e cila mundësoi alokimin e grantit të BE-së prej 32 milionë eurosh të kanalizuar përmes Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor për përgatitjen dhe zbatimin e projektit. Granti është i kombinuar me kredi nga BEI (33 milionë euro) dhe KfW (29 milionë euro), të cilat do të zbatojnë projektin në kuadër të nismës për mbështetje të ndërsjellë me qëllim rritjen e ekspertizës dhe efikasitetit të kombinuar të financimit.
Zëvendëspresidenti i BEI-t, Kyriacos Kakouris, përgjegjës për aktivitetet e Bankës në Ballkanin Perëndimor, tha: “Si një nga zhvillimet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në rajon në kuadër të Team Europe, ky projekt do të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme Kosovën të arrijë synimet e saj të sigurisë energjetike dhe të energjisë së rinovueshme. Së bashku me Komisionin Evropian dhe partnerët e tjerë, ne e kemi për kënaqësi ta ndihmojmë së bashku Kosovën që të krijojë terrenin për dekarbonizimin e ekonomisë lokale dhe diversifikimin e ndërthurjes energjetike, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha: “Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme për ndërtimin e termocentralit fotovoltaik është një moment historik pasi Kosova avancon iniciativat e saj për të siguruar përdorimin e energjisë së rinovueshme për qytetarët e saj. Ky projekt, më i madhi i këtij lloji në rajon, jo vetëm që garanton një metodë të qëndrueshme të prodhimit të energjisë, por gjithashtu përshpejton zhvendosjen e Kosovës nga burimet konvencionale të energjisë.”
Shefja e seksionit politik në zyrën e BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon, tha: “Investimi në infrastrukturën e energjisë së rinovueshme të Kosovës nuk është vetëm një vendim strategjik; është një angazhim për një të ardhme të qëndrueshme për brezat që do të vijnë. Nisja e një prej zhvillimeve më të mëdha të energjisë së rinovueshme në rajon në kuadër të Team Europe shënon një moment historik të rëndësishëm në përpjekjet tona kolektive të tranzicionit drejt energjisë së gjelbër dhe rritjes ekonomike, si dhe krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të aftësive në Ballkanin Perëndimor.