Kosovë: Ankohet kadeti i larguar për shkak të tatusë, FSK konfirmon rregullat (FOTO)

Kazerma “Skënderbeu” në Ferizaj ka mbetur pa disa kadetë gjatë ditës së djeshme, pasi Ministria e Mbrojtjes i largoi për mbajtje tatuazhi.

Lajmin e ka bërë të ditur Ermelind Kastrati, njëri nga më shumë se 10 ushtarët e larguar.

Ky me një postim në llogarinë e tij në Facebook, tha se vendimi ndaj tij u mor disa muaj pas kalimit të testeve për pranim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. E këtë e konfirmoi edhe për Klankosova.tv.

“Pas kalimit të testimit fizik, atij me shkrim edhe intervistës në testimin mjekësor instruktorët e kanë pa tatuazhin, por s’më kanë thënë asgjë as mua as të tjerëve që tashmë na kanë largu rreth 12 ushtarë. Por, instruktorët kanë bërë fotografi edhe të njëjtat i kanë përcjellur tek komandanti e ai tek Ministria e Mbrojtjes.  Dje komandanti na ka informu që s’mund të jemi më pjesë e FSK-së”, thotë Kastrati për Klankosova.tv.

Bëhet fjalë për një tatuazhë me fjalët e heroit, Agim Ramadani: “Mu shterrshin sytë nëse pushoj lirinë tënde me ëndërrue mallkue qoftë gjaku im nëse m’vrasin pa luftue”,  që Kastrati e kishte vendosur në krah, pas aplikimit në FSK.

“Tatuazhi nuk është parë nga të tjerët as kur veshur kam pas maicë. Por, meqë e kam bërë pas aplikimit kam thirre dhe kam informu në Ministri. Nga atje më është thënë se këtë duhet ta shohin inspektorët e ministrisë që më pas të vendos komisioni”, tha aj

Kastrati thotë se ende nuk ka vendosur se a do të bëjë ankesë apo jo, veçse kërkon që ky rregull të ndryshojë sikur në shumë ushtri të tjera nëpër botë.

Por, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, thanë për Klankosova.tv se rregullat e konkursit janë publike dhe se atyre duhet t’iu përmbahen të gjithë para dhe pas pranimit si ushtarë të FSK-së.

Kështu del të jetë në secilin konkurs të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tek tatuazhet në mesin e kritereve tjera në konkurset e publikuara është e specifikuar se cilat prej tyre nuk lejohen.

“Të mos kenë tatuazhe në fytyrë, qafë dhe parakrah nga pjesa e bicepsit e deri te gishtat e dorës duke përfshirë edhe pirsingun. (Në rast përzgjedhjeje, kandidatët janë të obliguar të bëjnë heqjen e tyre paraprakisht në afatin kohor deri në trajnimin bazik, në të kundërtën do të diskualifikohen)”.

Tutje, në njoftimet e konkurseve thuhet se për cdo informatë të rrejshme kurdo që zbulohet kandidatët do të largohen nga FSK-ja

“Shënim: Kandidatët duhet të ofrojnë informata të sakta gjatë procesit të rekrutimit. Dhënia e informatave të rrejshme kurdo që zbulohet, gjatë procesit të rekrutimit apo gjatë shërbimit në FSK, rezulton me largim nga FSK-ja” thuhet një njoftimin për konkurs nga Ministria e Mbrojtjes.

/klankosova/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share