Mbi 1,7 milionë shtetas me të drejtë vote në Kosovë do të zgjedhin të dielën se kush do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.
Për parlamentin e ri me 120 vende garojnë 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar tashmë nga KQZ-ja.
Sipas KQZ-së janë prodhuar 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; pjesa tjetër i takon votuesve kusht, për nevoja të veçanta apo të votuesve nga diaspora.
Procesi organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 38 komuna të Republikës së Kosovës dhe janë ngritur 941 qendra të votimit, prej të cilave 38, nga një e tillë për çdo komunë, do të shërbejnë vetëm për votimin me kusht.
Risi në krahasim me zgjedhjet e kaluara do të jetë heshtja zgjedhore. Këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të ditës së votimit dhe filloi një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 Shkurt. Procesi zgjedhor nisi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.
Prokuroria ka bërë të ditur se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.
Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme.
“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula do ta mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.