Kosova rriti pagat neto për 6 euro e 80 cent, Murati: Mund të iu duken pak, por në tërësi janë 27 milionë euro në vit që s’mblidhen si tatim nga shteti

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se sot ekzekutohen pagat në sektorin publik, duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Murati ka thënë se secili punonjës nga ky muaj do paguajë më pak tatim dhe do marrë më shumë pagë neto.

Sipas tij, 6 euro e 80 centë dikujt mund t’i duken pak, por për një vit janë 27 milionë euro që nuk mblidhen si tatim nga shteti.

Si rezultat i këtij ndryshimi, secili punonjës në Kosovë, nga ky muaj e tutje do të paguajë më pak tatim, e rrjedhimisht do të marrë pak më shumë pagë neto.

Përfitimi mujor prej 6.8 euro apo vjetor prej 81.6 euro dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse e shohim në tërësi, janë rreth 2.3 milion euro në muaj apo rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti por do të mbesin në xhepat e qytetarëve”, shkroi ai.

Ndryshe, nga muaji shtator secili i punësuar në Kosovë duhet të marrë nga 6.8 euro më shumë në pagë, pasi siç ka njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës, më 23 gusht ka hyrë në fuqi Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share