Kosova, rekord importesh nga Serbia

Në 2021 importoi 300 mln Euro më shumë se në 2019

“Reciprociteti do të vendoset dhe me drejtoreshën e re të Doganave do ta zbatojmë me rigorizitet… Ne do ta zbatojmë me sukses”.

Kështu deklaronte më 21 shtator të vitit të shkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti teksa fliste për disbalancën e madhe që ekzistonte në shkëmbimin e mallrave mes Kosovës dhe Serbisë.

Por pavarësisht vendosjes se reciprocitetit, qe shkaktoi jo pa trazira ne pikat kufitare dhe pavarësisht ndryshimeve në qeveri dhe në dogana, mallrat serbe ne Kosove janë shtuar.

Sipas të dhënave zyrtare të agjencisë së statistikave dhe doganave të Kosovës në vitin 2019 Kosova kishte importuar nga Serbia vetëm 6 milionë euro produkte, ndërkohë që në vitin 2021 kjo shifër shkoi në 306 milionë Euro, pra plotë 300 milionë Euro më shumë.

Kjo shifër rezulton të jetë gati dyfish më e lartë krahasuar edhe me vitin 2020, ku u raportuan 174 milionë Euro importe nga Serbia.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia renditet e para nga shtetet e CEFTA-s me importin më të lartë në Kosovë, duke kaluar edhe Shqipërinë e cila renditet e dyta.

Kështu, në 2021 Kosova kishte importuar 267 milionë Euro mallra nga Shqipëria, duke pësuar vetëm 43 milionë Euro rritje krahasuar me vitin 2019.

Në vendin e tretë për nivelin e importeve në Kosovë renditet Maqedonia e Veriut me 242 milionë Euro dhe më pas vijnë me një peshë më të vogël shtete si Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.

Krejt e kundërta ndodh me eksportet ku tregu kryesor për mallrat nga Kosova nuk është Serbia, por Shqipëria. Në periudhën Janar-Qershor 2021, eksportet nga Kosova drejt Shqipërisë zinin 15.3 për qind e totalit, ndërsa ato drejt Serbisë vetëm 5.6%.

Qeveria “Kurti” ka refuzuar deri më tani nismën e “Ballkanit të Hapur” me argumentin se ajo dëmton  interesat e Kosovës në raport me Serbinë edhe në fushën ekonomike, ku një peshë kryesore e zë shkëmbimi i mallrave dhe produkteve. Por të dhënat zyrtare të agjencisë së statistikave  dhe doganave të Kosovës, tregojnë se pavarësisht qëndrimit të Kurtit për këtë nismë, Serbia e ka pushtuar serish tregun kosovar me mallra dhe produktet e saj.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share