Kosova përfiton 75 milionë euro nga Bashkimi Evropian

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 75 milionë eurosh në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor

Marrëveshja është nënshkruar në mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Fondet e përfituara të premten nga Kosova, përmes kësaj marrëveshjeje, do shfrytëzohen për sektorin e energjisë.

Marrëveshja hyn në fuqi nga 24 shkurti, tha Bislimi, duke shtuar se këto mjete do ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike që Kosova, sikurse shtetet e tjera të Evropës, është duke e përjetuar.

“Ne menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje. Pra për 67.5 milionë euro, të cilat pritet të disbursohen shpejtë në buxhetin e shtetit. Ndërkaq pjesa tjetër prej 7.5 milionë eurove do të shpërndahet gjatë vitit të ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuara në marrëveshjen financiare”, tha Bislimi.

Edhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, u shpreh se me këto mjete Kosova do ruajë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.

“Kjo është pjesë e 500 milionëshit si ndihmë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus ndaj Ukrainës, ka pas ndikim në tregun botëror, posaçërisht në atë energjetik,” theksoi ai.

Që nga korriku i vitit të kaluar, Qeveria ka vendosur masa emergjente të energjisë për shkak të krizës energjetike të Kosovës.

Për të kursyer energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës, në tetor të vitit të kaluar ka ndarë gjashtë milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ndërkaq subvencionohen edhe faturat e konsumatorëve të cilët kursejnë energjinë elektrike./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share