Kosova një hap më afër liberalizimit të vizave

PRESIDENCA ÇEKE: BËMË NJË HAP TË RËNDËSISHËM PËR KOSOVËN

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Presidenca Çeke e BE-së tani do t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza.

“Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për t’i forcuar kontrollet kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media.

Po ashtu, Presidenca çeke pati një thirrje për Kosovën që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe shtetet anëtare të saj për të ruajtur përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Ballkani Perëndimor ka qenë prioritet për Presidencën çeke gjatë udhëheqjes.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet tona të politikës së jashtme gjatë presidencës sonë. Më vjen mirë që ndihmuam për të gjetur një marrëveshje brenda Këshillit për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ky është një lajm i madh edhe për Kosovën edhe për rajonin. Jam i bindur se regjimi pa viza do të hapë rrugën për kontakte më të ngushta mes qytetarëve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së” thuhet në komunikatë.

Nën kushtet aktuale, liberalizimi i vizave do të nisë në datën e hapjes së sistemit ETIAS dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.

Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha

Lexo gjithashtu
Total
0
Share