Kosova në pritje të raportit nga KE, Kurti: E meritojmë anëtarësimin në Këshillin e Europës

Qeveria e Albin Kurtit deklaron se i ka dhënë hov të ri zhvillimit të vendit në disa fusha, nga raportet e brendshme te ambiciet për ta përfshirë Kosovën në politikën e jashtme europiane.

“Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.”

Kryeministri Kurti thotë se Kosova mirëmbajti marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët e vet.

“Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë.”

Politika e Jashtme, sipas Kurtit është reflektim i qeverisjes së brendshme.

“Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 Janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.”

Në postimin e tij në Facebook, Kurti shkruan se Kosova këtë vit nënshkroi 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme. Madje Kosova bleu ambasadat në SHBA dhe Mbretërine e Bashkuar.

Sipas Kurtit gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share