Kosova përfundimisht nuk u fut në axhendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për tu bërë anëtare e saj.
Megjithatë kryesuesja e deritanshme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë” – tha Dominique Hasler.
Kryediplomatit shqiptar tha se do të vazhdojë përpjekjet për të mbledhur së afërmi një komitet tjetër ministrash per ta bere te mundur mbeshtetjen me vota te Kosoves.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar duke thënë se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës dhe se kjo është vetëm thjeshtë çështje kohe.
“Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë.Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë Këshillin e Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike.I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut më herët sesa vonë” – tha Vjosa Osmani.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.