Kosova, gati të shtyjë vendimin për Dinarin/ Osmani: Po diskutojmë disa variante

Brenda dy ditësh, autoritetet në Kosovë do të marrin një vendim sa i përket kërkesës së faktorit ndërkombëtar për shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin në qarkullim të Dinarit serb në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani la të nënkuptohet për një periudhë të tranzicionit.

“Sa i përket zbatimit në praktikë, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh, të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi, në llogari të reja, e të tjera.”

Përmendi si shembull çështjen e targave.

“Një shembull i tillë është çështja e targave..Ndërkombëtarët patën kërkuar të shtyhet vendimi. Siç po e shihni sot, gati të gjithë qytetarët që jetojnë në veri kanë transferuar targat e tyre në targa të Republikës së Kosovës.”

Derisa rikujtoi se nenin 11-të i Kushtetutës thotë që Kosova në qarkullim dhe në përdorim ta ketë vetëm një valutë.

“Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë, e jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dinë se për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë, në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri. Pra, mund të bëhen edhe njëra, edhe tjetra. Jam i bindur që njëra nuk e përjashton tjetrën. Mund të ruhen edhe Kushtetuta, edhe aleatët tanë.”

Guvernatori i Bankës tha se ky vendim duhet të zbatohet pasi që institucioni që e udhëheq nuk është politik.

Për këtë çështje, emisari i BE-së Miroslav Lajcak ka diskutuar të martën me kryeministrin Albin Kurti ndërsa pas takimit tha se u përket autoriteteve qeveritare të njoftojnë për media për vendimin që do të marrin. Në rast se zbatohet vendimi i Bankës Qëndrore si i tillë, atëherë nga dita e enjte ndalohet qarkullimi i dinarit serb në Kosovë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share