Kosova gati për zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe

Institucionet e Kosovës janë të bashkuara dhe të përkushtuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, në bashkëpunim me partnerët strategjikë, u tha pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, të mbajtur më 31 korrik, u diskutua për dy vendimet e Qeverisë lidhur me targat serbe dhe dokumentet e Serbisë, vendime që hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Sipas Qeverisë së Kosovës, institucionet kanë zhvilluar të gjitha procedurat teknike dhe administrative për zbatimin e këtyre vendimeve.

Ekzekutivi shtoi se këto dy vendime janë në funksion të sigurisë, të vendosjes së rendit publik, ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit.

“Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës qëndrojnë të përkushtuara e të bashkuara që t’i përgjigjen çdo situate të sigurisë, çdoherë në bashkërendim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë strategjikë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se beson dhe uron që më 1 gusht gjithçka të shkojë qetë.

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension, nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, barrikada, bllokime, destabilizim, tesione flasin për vete, nuk flasin për neve. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë qysh është më së miri. Ndërkaq, edhe një herë i ftoj qytetarët e Kosovëss, që kanë targa të kohës së Millosheviqit, që t’i konvertojnë në targa legale me akronimin e vendit tonë, RKS”, tha Kurti.

Kurti po ashtu tha se në Serbi ka politikanë e zyrtarë, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që sipas tij janë “udhëheqës të frikës dhe frikësimit”.

Këto deklarata të Kurtit vijnë pak kohë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 31 korrik në Beograd se ka frikë nga reagimi i serbëve në Kosovë, teksa bëri thirrje për qetësi./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share