Bashkimi Evropian ka ftuar liderët e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 17 vende të tjera evropiane, në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane, theksoi sot një zyrtar i BE-së.
”Ftesat për takimin, të nënshkruara nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministri çek, Petr Fiala u dërguan sot”, tha zyrtari, i cili nuk pranoi të identifikohej.
Liderët do të mblidhen në Pragë më 6 tetor.
Krerët e shteteve nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 17 vendet evropiane, Turqia, Britania e Madhe, Ukraina, Azerbajxhani, Armenia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Zvicra, Islanda, Lihtenshtejni, Moldavia dhe Gjeorgjia, janë të ftuar të marrin pjesë.
”Bashkësia Politike Evropiane është një platformë për koordinimin politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, duke synuar të bashkojë liderët nga vendet evropiane në baza të barabarta dhe në një frymë uniteti, një ose dy herë në vit”, tha zyrtari.
Të gjithë udhëheqësit do të marrin pjesë në një sesion hapjeje dhe në darkën përmbyllëse do të mbajnë bisedime dypalëshe dhe do të marrin pjesë në grupe më të vogla në diskutime në tryeza të rrumbullakëta mbi tema të ndryshme si stabiliteti, energjia, klima, lëvizshmëria dhe ekonomia.
Krerët e BE-së do të mbajnë një samit jozyrtar të nesërmen.
Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi në maj krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane me pjesëmarrjen e vendeve të BE-së dhe fqinjëve për të adresuar sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë.