Kosova po synon të forcojë raportet ushtarake me Turqinë.
Kjo së paku po dëshmohet kohëve të fundit nga vizitat e udhëheqësve të institucioneve të shtetit në këtë vend, raporton Klankosova.tv.
Veç vizitës që shefi i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj i bëri shtetit turk këtë javë, edhe kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Në këtë bisedë, siç thuhet në njoftimin për media të ZKM-së, Kurti ka ofruar “bashkëpunim të plotë dhe të ngushtë në avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë”.
“U bisedua për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes me ç‘rast, kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Fidan për mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës në kuadër të NATO-s si dhe mbështetjen ndaj Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Ndër të tjera, në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale me interes të përbashkët, kurse Kurti e ftoi ministrin Fidan për vizitë zyrtare në Kosovë.
“Turqia është vend mik e partner i Republikës së Kosovës e cila është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdimisht mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thotë njoftimi i Zyrës së Kryeministrit.
Kujtojmë se së fundmi arsenalit të ushtrisë së Kosovës i janë shtuar edhe dronët Bayraktar TB-2 të cilët, qeveria thotë se janë blerë pikërisht nga Turqia. /Klankosova.tv