KORRUPSIONI NËPËR DOGANA
Poligrafi nuk është zgjidhje për luftimin e korrupsionit nëpër Dogana – vlerëson Drejtori i Doganës, Stefan Bogoev. Ai preferon mekanzima dhe praktika të sigurta. Bogoev gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë ka pranuar se ekziston korrupsioni në Dogana dhe pret që të hetohet situata pronësore e punonjësve, kurse Drejtoria tashmë ka dorëzuar kallëzime penale.
Punonjësit në Drejtorinë e Doganave janë apostrofuar si një ndër më të korruptuarit. Propozimi i fundit që vjen nga Koordinatori Kombëtar për Menaxhim Kufitar është poligrafi.
Drejtori i Doganave Stefan Bogoev, nuk është i sigurtë nëse me poligrafin do të zgjidhet çështja e korrupsionit. Ai gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë preferon mekanzima dhe praktika të sigurta.
“Kam thënë se që ekspertët le të vendosin për poligrafin dhe saktësinë e këtij testimi. Por, nëse në bazë të kësaj dikujt ia ndërpritni marrëveshjen, kur nuk ekziston saktësia 100%, me të vërtetë dikujt mund t`ia shkatëroni jetën. Mbështes mekanizma të sigurta që vërtetojnë nëse dikush është I korruptuar ose jo. Thonë se shembulli i Koresë me digjitalizimin është mënyra më e mirë në luftën kundër korrupsionit. T`ua lëmë ekspertëve të vendosin, por fundja nëse ndodh duhet që të miratohet nga Kuvendi”, tha Bogoev.
Bogoev ka pranuar se ekziston korrupsioni në Dogana dhe pret që të hetohet situata pronësore e punonjësve, kurse Drejtoria tashmë ka dorëzuar kallëzime penale.
“Është fakt se kemi problem me korrupsionin në dogana. Do të isha jo i ndershëm dhe jokorrekt nëse këtë nuk e pranoj për shkak se e di se kështu është. Ekziston një sektor i tërë për përgjegjësi profesionale që bën hetime të brendshme. Kur ka indikacione për korrupsion mund të përfundojnë me procedurë dispilinore, dënim në paga, pezullim, më ndërprerje të marrëdhënieve të punë por edhe me kallëzim penal. Ka pasur raste të tilla në të kaluarën”, tha Bogoev.
Korrupsioni nëpër kufij nuk paraqet kërcënim të vetëm për vendin. Sipas nismëtarëve të propozimit, nëse në kufi një polic ose doganier i korruptuar, për shumë të caktuar të parave, lejon kalimin e automjeteve me armë, drogë, terroristë, kjo paraqet edhe kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit dhe fqinjve.
Në vendin tonë për momentin janë katër poligrafist të licensuar.
Testimi me poligraf ka saktësinë prej 97%, kurse 3% tjerë i takojnë përvojës së parashtruesit të pyetjeve./tvklan.mk/