Testimet vijnë pasi SHBA dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitje ushtarake që Pheniani i cilëson provë për luftë
Pheniani ka lëshuar sërish raketa balistike nga një nëndetëse vetëm disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut të fillonin stërvitjet e tyre më të mëdha të përbashkëta ushtarake në pesë vjet.
Raketat fluturuan për më shumë se dy orë, duke vizatuar modele në formë tete mbi ujërat jashtë bregut lindor të vendit dhe goditën objektivat 1,500 km larg. Lëshimet nga Koreja e Veriut erdhën disa ditë pasi udhëheqësi Kim Jong Un mbikëqyri një seri testimesh armësh dhe urdhëroi ushtarët e tij të intensifikojnë përpjekjet për të zmbrapsur lëvizjet e rivalëve të tij.
Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane deklaroi se lëshimet e raketave treguan vendosmërinë e Phenianit për t’iu përgjigjur manovrave ushtarake të SHBA-së dhe forcave të Koresë së Jugut. Pheniani i sheh stërvitjet ushtarake si prova për pushtim dhe argumenton se programet e tij bërthamore dhe raketore janë të nevojshme për vetëmbrojtje.
Ushtritë e SHBA-së dhe Koresë së Jugut filluan stërvitjet e tyre të quajtura “Mburoja e Lirisë”, hera e parë që mbahen stërvitje të tilla në shkallë të gjerë që nga viti 2018. Stërvitjet janë planifikuar të vazhdojnë për të paktën 10 ditë në mes të kërcënimeve bërthamore në rritje të Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut kreu një numër rekord testesh raketore në vitin 2022 dhe ekspertët shprehen se ekziston frika se ajo mund të kryejë testin e shtatë bërthamor. Ekspertët thonë se Kim po përpiqet të ushtrojë presion ndaj SHBA-së për të pranuar Korenë e Veriut si një fuqi legjitime bërthamore dhe për të zbutur sanksionet ndërkombëtare që po dëmtojnë ekonominë e saj.
Klan News