Koreja e Veriut konfirmon mbylljen e disa misioneve diplomatike

Koreja e Veriut konfirmoi më 3 nëntor se po mbyll disa prej misioneve të saj diplomatike jashtë vendit. Ky njoftim, sipas Koresë së Jugut, ka të ngjarë që është sinjali i fundit i problemeve ekonomike për shkak të sanksioneve të vazhdueshme ndërkombëtare.

Më herët gjatë javës, Qeveria e Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut po mbyll ambasadat në Ugandë, Angola dhe Spanjë, por edhe konsullatën në Hong Kong sepse sanksionet e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë që këto ambasada të vazhdojnë aktivitetet joligjore jashtë vendit për të fituar para për shpenzimet e tyre operuese.

Sipas të dhënave të Qeverisë jugkoreane, Koreja e Veriut ka raporte diplomatike me më shumë se 150 shtete, por ka vetëm afër 50 misione diplomatike jashtë shtetit.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha të premten se “ose po mbyllim ose po hapim misione të reja diplomatike në shtete të tjera” në linjë me ndryshimet – e paspecifikuara – në mjedisin ndërkombëtar dhe në politikën e jashtme të Veriut.

Zyrtarët jugkoreanë nuk mundën që menjëherë të konfirmonin nëse vërtetë Veriu po hap misione të reja diplomatike.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut një zëdhënës tha se është normale për shtetet sovrane që të zhvendosin forcat e tyre diplomatike jashtë shtetit, në linjë me interesat kombëtare. Në njoftim u tha se Koreja e Veriut do të vazhdojë të ndërmarrë “masat e nevojshme diplomatike” për të ruajtur lidhjet e saj afatgjata me shtetet, por nuk u elaborua më shumë.

Ambasadat e Koresë së Veriut dhe misionet e saj diplomatike jashtë shtetit kanë qenë të lidhura me rastet e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera joligjore tregtare me qëllim që të financohen kostot e operimit dhe për të dërguar në Veri monedhat e huaja.

Por, Ministria për Bashkim e Koresë së Jugut tha të martën se Veriu ka vendosur që të mbyllë disa misione diplomatike sepse po përballet me vështirësi që të fitojë para për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura për shkak të testimeve bërthamore dhe të raketave.

Në vitet e fundit, ekonomia e brishtë e Koresë së Veriut është goditur rëndë nga kufizimet e lidhura me pandeminë e koronavirusit, sanksionet dhe keqmenaxhimi. Por, grupet monitoruese kanë thënë se nuk ka asnjë sinjal për ndonjë krizë humanitare apo kaos social që mund të kërcënojë liderin e këtij shteti të izoluar, Kim Jong Un. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share