Kopshti Zoologjik hapi dyert – qytetarët nisin vizitat!

ZOO SHKUP NIS PUNËN PAS TRI JAVË MBYLLJE

Pasi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari konfirmoi praninë e gripit të shpendëve në liqenin e kopshtit zoologjik, ishte zbatuar mbikqyrja dhe ishin asgjësuar shpendët që kishin qenë në këtë lokalitet – 24 pata, 6 rosa, 5 pula.

Një pjesë e punonjësve të ZOO-Shkup kishin qenë nën mbikqyrje shëndetësore, por pas testimeve tek asnjë prej tyre nuk ishte konstatuar “gripi i shpendëve”.

Qytetarët edhe këtë të diel nuk kishin hezituar ta vizitojnë Kopshtin Zoologjik – Shkup, pavarësisht zhvillimeve dhe mbylljes gjatë tri javëve.

“Njëjtë, nuk ka asnjë ndryshim. Po, ja me fëmijët. Kaluam shumë mirë, si gjithmonë.

“Mirë të ju them. Nuk është e kompletuar pas rastit, por megjithatë bukur. Ka njerëz mjaftueshem”.

Ndërkohë, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka bërë thirrje që nëse qytetarët gjejnë pata ose rosa të ngordhura ta njoftojnë Agjencinë.

“Lidhur me gripin e shpendëve që u konfirmua në dy raste të izoluara në Shkup, bëjmë thirrje që qytetarët nëse gjejnë shpendë të llojeve ujore ta njoftojnë AUV-në personalisht ose në telefonin pa pagesë 0800 3 22 22 ose në e-mailin  [email protected]. Nëse bëhet fjalë për lloje tjera të shpendëve të denoncohet në Ndërmarrjet Publike Komunale” – thonë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Autoritetet e Kopshtit Zoologjik në Shkup thonë se, gjatë tri javëve derisa ishte mbyllur objekti, janë bërë dezinfektime të ndryshme të lokaliteteve ku ishin gjetur shpendët e infektuar me grip.

Epidemiologët thonë se ka shumë pak rrezik që njerëzit të infektohen me gripin e shpendëve. Testimi rezulton pozitiv vetëm nëse ka kontakte të afërta me shpendët e prekur ose të ngordhur. /tvklan.mk/ 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share