Konjufca: Asociacioni bashkë me njohjen, çelës për përparimin e dialogut

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ideja origjinale e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve ishte që nuk mund të ketë themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa njohje të ndërsjellë.

“Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, Asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem”, tha ai për mediat në Prishtinë, duke shtuar se është në përgjegjësinë e Kosovës që të gjejë formën që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos e cenojë rendin juridik.

Sipas Konjufcës pozicioni i Serbisë është që Kosova duhet të themelojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe “jashtë çdo ombrelle politike të procesit që ka arritur në këtë pikë ku jemi tash”.

Ai tha se ekspertët që kanë hartuar Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e kanë zgjeruar ombrellën, teksa komentoi edhe deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ndërmjetësi i dialogut, Mirosllav Lajçak është “pozicionuar” kundër Kosovës.

“Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja [e ndërsjellë] dhe Asociacioni. Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur do ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE-së, atëherë ne mund të themi që [i dërguari i BE-së për dialogut, Mirosllav]Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia”, tha Konjufca.

Konjufca tha se pohimet e Kurtit, i cili tha se Lajçak është ndërmjetës i njëanshëm, nuk mund të quhen akuza, ashtu siç i cilësoi Bashkimi Evropian.

“Së pari, nuk mendoj që ato ishin akuza. Ishin disa konstatime të mënyrës së punës së Lajçakut. Është vërejtur, thënë të drejtën, qysh në fillim që Lajçak qëndrimet të cilat i artikulon, më shumë janë, le të themi, marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qetë në zgjidhjet që i propozon, të mund të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, se si të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë”, tha ai.

Më 18 shtator, Kurti tha se gjatë rundit të fundit të dialogut – të mbajtur në Bruksel më 14 shtator – dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Ai tha se në këtë takim, ku kryeministri kosovar paraqiti një plan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit që tha se u refuzua nga BE-ja dhe Serbia, Lajçaku “u pozicionua” kundër Kosovës.

Bashkimi Evropian i ka cilësuar deklaratat e Kurtit për Lajçakun si “akuza të pabaza”, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen e tyre për BE-në si lehtësuese e procesit të dialogut, që ka nisur më 2011

Lexo gjithashtu
Total
0
Share