KONGRESI LLOGARIDHËNËS
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë sot mban kongresin e 29 me radhë. Delegatët do të diskutojnë rreth shkaqeve që çuan LSDM të përjetojë debakël zgjedhor në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe ato parlamentare.
Megjithatë, ish kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, para nisjes se kongresit tha se delegatët do të diskutojnë edhe për rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, sepse siç tha, në atë kohë nuk ishte mbajtur një Kongres ku do të jepej llogari.
“Unë atë që kisha për ta thënë e thash edhe më 8 maj, po ashtu edhe në ditën kur zyrtarisht u tërhoqa nga pozita si kryetar i partisë LSDM më 22 maj. Pres debat të hapur, pres të jetë bisedë konstruktive pët të gjitha çështjet që ndikuan në rezultatin në zgjedhje, në këto të fundit, por edhe ato të vitit 2021, sepse atëherë nuk u mbajt kongres. Kështu që delegatët do të kenë për çfarë të flasin. Sigurisht që anëtarët e udhëheqësisë. Mendoj se do të jetë një Kongres i suksesshëm, nga i cili Lidhja socialdemokrate do të dalë më e fuqishme, më e bashkuar dhe të hyjë në procesin e finalizimit për zgjedhjen e krytarit të ri”, tha Kovaçevski.
LSDM-ja ishte në pushtet në 7 vitet e fundit, por në zgjedhjet e dyfishta të majit përjetoi humbje të thellë duke fituar vetëm 18 deputetë.
Ish-Kryeministri dhe lideri socialdemokrat, Dimitar Kovaçevski, në seancën e Këshillit Ekzekutiv të partisë më 22 maj, zyrtarisht konfirmoi se tërhiqet nga funksioni i Kryetarit të LSDM-së.
Paralelisht me Kongresin llogaridhënës të LSDM-së, ka nisur edhe procedura për zgjedhje të liderit dhe udhëheqësisë së re partiake.
Statuti partiak parashikon se Kryetari zgjidhet nga anëtarët përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta që janë caktuar për më 30 qershor.
Në garën për lider të ri të LSDM-së janë katër kandidatë; deputetët aktual dhe ish-Ministrat e Mbrojtjes dhe Shëndetësisë, Slavjanka Petrovska dhe Venko Filipçe, Drejtori i Zonave Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski dhe zv/Ministri aktual për Shoqëri Informatike dhe Administratë në qeverinë teknike, Aleksandar Bajdevski./tvklan.mk/