Konflikti Izrael-Palestinë, Irani mohon përfshirjen

Teherani ka mohuar përfshirjen në sulmin e militantëve të Hamasit në Izrael. Në fjalimin e tij të parë televiziv që nga sulmi, udhëheqësi i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, vlerësoi nismëtarët e këtij sulmi.

“Përkrahësit e regjimit të Izraelit dhe disa njerëz brenda vetë regjimit, kanë bërë deklarata të rreme në ditët e kaluara dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke përfshirë faktin se Irani qëndron pas këtyre veprimeve. Ata e kanë gabim. Sigurisht ne mbrojmë Palestinën, mbrojmë luftën, puthim duart e atyre të rinjve palestinezë inteligjentë dhe trima që planifikuan sulmin ndaj këtij regjimi. Ne jemi krenarë për ta.”

Shtetet e Bashkuara bënë të ditur të hënën se Irani ishte bashkëpunëtor në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por shtoi se nuk kishte prova që provonin këto pretendime. Gjenerali i lartë amerikan Mark Milley paralajmëroi Iranin që të mos përfshihej në krizë, duke thënë se ai nuk donte që konflikti të zgjerohej. Edhe Rusia ka reaguar për akuzat e presidentit Volodimir Zelenski se është në interesin e Moskës të nxisë luftën në Lindjen e Mesme.

“Pretendimet e Zelenskit nuk kanë absolutisht asnjë bazë. Ky është një konflikt i vjetër. Konfliktin palestinezo-izraelit, ka rrënjë dhe shumë kontradikta të thella. Shumë mund ta dinë sfondin, por është aq i thellë sa jo të gjithë i dinë nuancat”.

Ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak shprehu solidaritetin e tij me komunitetin hebre në Britaninë e Madhe.

“Nuk ka dy anë të këtyre ngjarjeve. Nuk bëhet fjalë për ekuilibër, unë qëndroj me Izraelin. Mbretëria e Bashkuar qëndron me Izraelin kundër këtij terrorizmi sot, nesër dhe përgjithmonë”.

Gjatë mbrëmjes së të hënës, Shtëpia e Bardhë u ndriçua në blu dhe të bardhë në mbështetje të Izraelit./tvklan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share