Lirimi i pengjeve që vjen pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit katër ditor mes Izraelit dhe Hamasit nuk do të ndodhë përpara të premtes. Lajmin e ka bërë publik këshilltari i sigurisë kombëtare i Izraelit dhe SHBA. Koha e fillimit të armëpushimit dhe lirimit të pengjeve pritet të ndodhte këtë të enjte prej 10 të mëngjesit por është shtyrë, duke lënë shumë familje gjithnjë e më shumë në ankth.
“Marrëveshja mbetet e dakorduar. Palët po përpunojnë detajet përfundimtare logjistike veçanërisht për ditën e parë të zbatimit. Objektivi ynë kryesor është të sigurojmë që ata të sillen në shtëpi të sigurt”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Adrienne Watson.
Izraeli dhe Hamasi ranë dakord herët të mërkurën për një armëpushim në Gaza për të paktën katër ditë, për të lejuar ndihma humanitare dhe për të liruar të paktën 50 pengje të mbajtura nga militantët në enklavë në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në Izrael.
Pa një armëpushim në fuqi, luftimet intensive vazhduan gjatë gjithë natës në Rripin e Gazës. Avionët dhe artileria izraelite goditën qytetin jugor të Gazës, Khan Younis ku 15 persona u vranë. Sulme u raportuan gjithashtu në disa pjesë të tjera të Gazës, duke përfshirë kampet Jabalia dhe Nuseirat.
Forcat izraelite zbuluan sërish një strehë e madhe e Hamasit në një tunel poshtë spitalit Shifa. Në Izrael, sirenat që paralajmëronin për sulmin me raketa nga Gaza u ndezën në komunitetet pranë kufirit me enklavën, por nuk pati raportime për dëme apo të lënduar. Agjencitë e ndihmës kanë thënë se janë gati të rrisin vëllimin e ushqimeve, karburanteve dhe furnizimeve mjekësore që arrijnë në Gaza, por një armëpushim i përkohshëm është i pamjaftueshëm për të dërguar ndihma në kaq pak ditë.
Forcat izraelite vijojnë bastisjet në qytetin e Nablusit në Bregun Perëndimor. Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve (WAFA) tha se një palestinez u vra gjatë bastisjes në kampin Balata. Banorët deklaruan se forcat izraelite sulmuan kampin gjatë natës me dhjetëra automjete ushtarake dhe se në kamp u zhvilluan përleshje midis palestinezëve të armatosur dhe ushtrisë.
Ndërkaq Kryeministri Benjamin Netanyahu në një konferencë shtypi në televizionin kombëtar deklaroi se lufta do të rifillojë pas skadimit të armëpushimit, me qëllim shkatërrimin e Hamasit. “Lufta po vazhdon. Ne do ta vazhdojmë derisa të arrijmë të gjitha qëllimet tona”, tha Netanyahu, duke shtuar se të njëjtin mesazh i kishte dhënë në një telefonatë presidentit amerikan Joe Biden.
Në Këshillin e Sigurimit anëtarët kërkuan zgjatjen e armëpushimit përtej katër ditëve. Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, deklaroi se i më shumë se 5300 fëmijë janë vrarë që nga 7 tetori, duke e bërë Gazën vendin më të rrezikshëm në botë për fëmijët. Tre të katërtat e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës janë zhvendosur. Shumë prej tyre kanë deklaruar se nuk do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi për shkak të dëmeve të mëdha dhe pranisë së trupave izraelite në veri.
Klan News