Do të luhet një ditë para Partizani-Roma
Egnatia do të zhvillojë një miqësore me Inter më 13 Gusht në orën 20:00 në Ferrara të Italisë. Konfirmimi ka ardhur nga të dy klubet këtë të shtunë. Miqësorja e fundit për të dy ekipet para nisjes së kampionateve do të luhet në stadiumin “Paolo Mazza” me një kapacitet 16 mijë vende. Menjëherë në shitje kanë dalë edhe biletat.
Për Egnatian, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe debutuese në kupat e Europës këtë sezon do të jetë një mundësi e mirë për të reklamuar më shumë lojtarët e saj. Një verë sfidash mes ekipeve shqiptarë dhe italianë pasi më 12 gusht në orën 20:00 do të jetë ekipi tjetër shqiptar Partizani që do të presë Roma në stadiumin “Air Albania”.
Interesimi ka nisur për këtë përballje pasi janë shitur disa mijëra bileta sipas klubit të kuq. Këto ditë edhe Dinamo po zhvillon përgatitjet në Itali pas emërimit të trajnerit të ri Luigi Di Biagio. Deri më tani kanë luajtur një miqësore me Modena e humbur 2 – 0 dhe kanë planifikuar një tjetër me Rimini më 11 gusht.
Tv Klan