Ballkani ka dominuar ndaj Astanas, por nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në Kazakistan.
Të enjten, Ballkani luajti pa gola në udhëtim tek Astana në kuadër të xhiros së katërt të Ligës C të Ligës së Konferencës.
Në duelin e zhvilluar në stadiumin “Astana Arena”, skuadra e Ballkanit ka sulmuar vazhdimisht dhe ka kërkuar golin, por nuk pati fat.
Prej fillimit të ndeshjes, kampioni i Kosovës, dëshmoi se në Kazakistan nuk kishte udhëtuar për t’u mbrojtur.
Në fakt, Ballkani rrezikoi i pari kur në minutën e katërt, Nazmi Gripshi gjuajti mbi portë.
Edhe pas rastit të Gripshit, që ishte më i miri në pjesën e parë, Ballkani ka tentuar ta zhbllokoj rezultatin.
Në minutën e 32-të, Almir Kryeziu pati rast ideal, por që tentimin e tij e dëboi portieri i Astanas.
Futbollistët vendas kryesisht tentonin të bënin diçka më shumë nëpërmjet kundërsulmeve, siç ishte tentimi i Maks Ebong (24’), por nuk ishte i saktë.
Ballkani ishte edhe më kërkues në pjesën e dytë, sidomos në minutat e fundit të takimit kur lëshoi tri raste të artë.
Fillimisht, në minutën e 73-të, Gripshi gjuajti pranë pingules prej më shumë se 20 metrave. I njëjti futbollist pati rast tjetër në minutën e 82-të pas një kundërsulmi të shpejt, por portieri vendas ia mohoi golin.
Pak minuta më vonë, edhe Arbër Potoku u mundua të përfitoi nga tollovia brenda zonës së Astanas, por gjuajti plogësht dhe topi përfundoi në duart e portierit.
Me këtë barazim, Ballkani mbetet në garë për të avancuar nga grupi kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar deri në fund të kësaj faze.
Ka tubuar katër pikë, sa i ka edhe Astana, ekip që para dy javësh e mposhti në Prishtinë me rezultatin e ngushtë 2:1. Ndeshjen e radhës, Ballkani e luan më 30 nëntor.
E pret Viktoria Plzenin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.