Konferenca e 2 Ndërqeveritare me BE/ Shqipëria hap sot grup-kapitujt për anëtarësim

Shqipëria mban sot në Luksemburg Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian për hapjen e grup-kapitujve në kuadër të hapjes së procesit të negociatave për anëtarësim.

Ky proces ishte bllokuar prej 1 viti për shkak të vetos greke, por tashmë çështja është zhbllokuar.

Shqipëria përfaqësohet në këtë konferencë nga Kryeministri Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani. Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen ditën e nesërme, te njohura si “Themeloret”.

Çdo shtet ka një axhendë të ndryshme të negocimit dhe Shqipëria do ta nisë këtë proces me grup-kapitujt me “Reformën e administratës publike”, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, “Drejtësia, liria dhe siguria”, “Kriteret ekonomike”, “Prokurimi publik”, “Statistikat”, “Kontrolli financiar” si dhe “Funksionimi i institucioneve demokratike”.

Negociatat për anëtarësim shënojnë momentin kyç në proceset integruese të një vendi për në BE. Negociatat zhvillohen mes ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të vendeve anëtare dhe vendit kandidat përmes Konferencës Ndërqeveritare. Ato përfshijnë marrjen përsipër nga vendi kandidat të përafrimit të plotë të legjislacionit të BE-së (acquis), zbatimin e tij, si dhe zbatimin e reformave të tjera ligjore, politike, ekonomike, administrative dhe reformave të tjera për të përmbushur kriteret për anëtarësim.

Për qëllime të procesit të negociatave, acquis i BE-së ndahet në 35 kapituj negociues (fusha politikash). Vendi kandidat nuk negocion mbi acquis e BE-së, por mbi transpozimin e zbatimin e tij.

Më 26 Mars 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share