Këshilltarët shqiptarë: Nisma e kryetarit për motive antishqiptare
Nga 38 rrugë të Komunës së Butelit, 20 prej tyre janë të emëruara me emra shqiptar, e sipas kryetarit të kësaj komunë Darko Kostovski qytetarët kanë ngritur iniciativë në Komunë që 38 rrugë të kthehen në emrat e mëparshëm, njofton KlanM.
Por, kjo nismë kundërshtohet nga këshilltarët shqiptar të kësaj komune të cilët thonë se iniciativa e kryetarit të Komunës së Butelit ka të bëjë vetëm për motive antishqiptare.
“Kërkesa e kryetarit të Komunës së Butelit për kthimin e emrave të vjetër në komunën e Butelit është e qartë se bëhet fjalë nga motive antishqiptare, ashtu siç mund të shihet nga kërkesa e tij, 90 % të emrave që ai i propozon të kthehen sipas emërtimit të vjetër janë emra të personaliteteve të historisë shqiptare”, thotë Samir Iseni, këshilltar.
Këshilltarët shqiptar, sic njofton KlanM, poashtu i bënë thirrje kryetarit të kësaj komunë që të heq dorë nga kjo iniciativë duke rikujtuar se siç thanë shumë shpejt kalojnë katër vite dhe përsëri duhet të kthehet tek votuesit.
“Si këshilltarë shqiptar të Komunës së Butelit i kërkojmë kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski që të heq dorë nga kjo iniciativë dhe të tërheq këtë propozim, jo vetëm se kjo nuk do të kalojë në qytetin e Shkupit ku poashtu kemi mekanizëm për ta bllokuar le ta dijë se imponimi nuk kalon nëse ai vazhdon me kokë në murë, shumë shpejt mund ta thyej qafen”, thotë Iseni.
Sipas kryetarit Darko Kostovski, nisma për kthimin e emrave të mëparshëm të rrugëve është nga qytetarët dhe sipas tij në atë kërkesë janë nënshkruar edhe qytetarë shqiptar.
“Bëhet fjalë për 38 rrugë, gjysma janë shqiptare e gjysma jo, ka emra edhe maqedonas dhe të huaj. E hedh poshtë menjëherë pretendimin se po flasim vetëm për emërtimin e rrugëve shqiptare, por po flasim për një iniciativë që duhet të rikthejë gjendjen e vjetër, ose më mirë të anulojmë vendimin e keqperdorur, vendimin e dhunshëm të Petre Shilegovit që mori në zgjedhjet e mëparshme lokale. Iniciativa është nga ana e qytetareve dhe duhet të përmendi pasi shoh që flitet për nacionalizëm e të ngjashme në këtë temë, në mesin e nënshkruesve të kësaj nisme ka edhe shqiptarë.”, deklaroi Darko Kostovski, kryetari i Komunës së Butelit.
Sipas kryetarit, sic percjell KlanM, kjo kërkesë e qytetarëve është dërguar si propozim deri tek qyteti i Shkupit që këto 38 rrugë të Komunës së Butelit të kthehen me emrat e mëparshëm dhe mbetet që qyteti i Shkupit të vendos rreth këtij propozimi. /KlanMacedonia