Shkak nisma për rikthimin e emrave të mëparshëm të rrugëve
“Në qoftë se vazhdon kështu do të të thehet qafa”, në këtë mënyrë pretendon se është kërcënuar Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, nga këshilltari i Alternativës, njofton KlanM.
Kostovski përmes një postimi në Facebook, nuk e ka pranuar si metaforë këtë kërcënim, duke shkuar më larg me akuza për këshilltarin e Alternativës, Samir Iseni.
“Dje kam marrë një kërcënim direkt, citoj: po të vazhdosh kështu do të të thehet qafa. Kur e pyeta se çfarë do të thoshte, ai filloi të thotë se ështe një metaforë. I njëjti këshilltar që dje mezi lexoi letrën e shkruar nga një tjetër, prej një viti e gjysmë më kërkon gjëra që lidhen jashtëzakonisht me nevojat e tij personale dhe me familjen e tij të ngushtë. Nga një person që sheh përfitime personale, befas u bë mbrojtës i interesave shqiptare me manipulime”, shkruan Kostovski.
Këshilltari nga Radhët e Alternativës, Samir Iseni, siç njofton KlanM, i përgënjeshtron si të pavërteta deklaratat e Kostovskit. Sipas tij, Kostovski këtë e bën për pikë politike.
“Për poena politike shkruan gjëra të pavërteta se kinse kam kërkuar punësime për familijarët. Ai nuk ka guxim të flet në Këshill por shkruan statusa në Facebook. Asnjëherë nuk e kam kërcënuar. Fundja ai lëviz me “bodigarda” ndërsa unë eci lirshëm vetëm”, tha Samir Iseni, këshilltar i Alternativës.
Ndryshe nga 38 emra rruge të Komunës së Butelit, 20 prej tyre janë të emëruara me emra shqiptar, e sipas kryetarit të kësaj komunë Darko Kostovski qytetarët kanë ngritur iniciativë të kthehen në emrat e mëparshëm. Por, sic njofton KlanM, kjo nismë kundërshtohet nga këshilltarët shqiptar të kësaj komune të cilët thonë se iniciativa e kryetarit të Komunës së Butelit ka të bëjë vetëm për motive antishqiptare./KlanMacedonia