Komisioni i përzier Maqedono-Bullgar! Në Shkup asgjë të re – Historianët e RVM-së dhe Bullgarisë marrëveshje do të kërkojnë në Sofje!

Në mbledhjen e dytë të Komisionit të përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, janë diskutuar për çështje konkrete, informoi kryetari i delegacionit bullgar në Komisionin Historik, Angel Dimitrov.

Sipas tij, pavarsisht përbërjes së re të komisionit të Maqedonisë së Veriut  bisedimet vazhdojnë aty ku kishin ngelur dhe nuk fillojnë nga fillimi.

“Asgjë nuk mund të fillojë nga fillimi, sepse këtu është bërë shumë punë dhe duhet të respektojmë punën e atij komisioni”,   është i prerë historiani dhe ish-ambasadori bullgar në Shkup, duke shtuar se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët mes dy komisioneve.

“Kur ka vullnet të mirë, gjithçka është e mundur. Shpresojmë që të ketë,” tha Dimitrov.

Në gusht të vitit 2022, një përparim i madh ndodhi në punën e këtij komisioni ekspertësh për çështje historike dhe arsimore, kur anëtarët e dy delegacioneve miratuan rekomandimet për nderimin e përbashkët të pesë figurave historike – Shën. Kirili dhe Metodi, Shën. Naum Ohridski, Shën. Kliment Ohridski dhe Car Samoil dhe nga pesë rekomandime për ndryshime në tekstet e historisë për klasën e gjashtë në Maqedoni dhe për klasën e pestë në tekstet bullgare. Të dy delegacionet nuk arritën të bien dakord për rëndësinë e Goce Dellçevit në historinë e Maqedonisë.

Më 10 shtator të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski zëvendësoi historianët nga delegacioni maqedonas, duke akuzuar se përbërja e mëparshme “nuk ishte mbrojtëse e interesave kombëtare të popullit maqedonas”.

Kryetar i ri i ekipit maqedonas në Komisionin e përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është Vanço Gjorgjiev, profesor në Fakultetin Filozofik në Shkup.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share