Biletat e ndeshjes me Ishujt Faroe ‘avullojnë’ për 2 orë
Viti 2023 mund të konsiderohet edhe si ai i kombëtares shqiptare të futbollit. Në 7 ndeshjet e deritanishme, kuqezinjtë e Silvinjos kanë koleksionuar 5 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, ecuri që i afron me kualifikimin për herë të dytë në Europian. Edhe mbështetja e tifozëve ka qënë e zjarrtë në këtë periudhë, diçka që nuk do të mungojë edhe në duelet e radhës, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Të dy këto sfida, si në transfertë ashtu edhe në stadiumin ‘Air Albania’, Shqipëria do i luaj me maksimumin e kapacitetit. Për duelin e fundit, atë ndaj Ishujve Faroe në Tiranë, dy orë janë dashur që të shiteshin mbi 22 mijë biletat e impiantit kombëtar.
Rekord që thyen atë të vendosur në muajin shtator, pasi për sfidën me Republikën Çeke u deshën pak më shumë se 4 orë për tu shitur plotësisht. Çmimi i tyre varionte, nga 3 mijë lekë pas porte deri në 6 mijë dhe 8 mijë lekë në ballore. Më 20 nëntor, Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit kualifikuese në grupin E kundër Ishujve Faroe, një sfidë që fillon në orën 20:45 dhe do transmetohet falas në televizionin kombëtar Klan. Me gjasë në atë ndeshje Shqipëria do të festojë kualifikimin për herë të dytë në Europian.
Klan News