Kombëtarja nis stërvitjen për 2 ndeshjet e Euro 2024: Muja dhe Gjasula: Për ne janë finale

Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e fundit te kualifikueseve të europianit, ndaj Moldavisë, më 17 nëntor e Ishujve Faroe më 20 nëntor. Seanca e parë stërvitore u mbajt pasditen e kësaj të hëne në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Programi i zakonshëm i Sylvinho, fillimisht në palestër, ndërsa më pas kanë dalë në fushë.

Nën drejtimin e stafit janë stërvitur 8 lojtarë, nga 18 që kanë mbërritur tashmë në grumbullim. Pjesa tjetër e lojtarëve janë lënë pushim nga trajneri për shkak të impenjimeve në fundjavë me klubet përkatëse.

Edhe pse Moldavia cilësohet si e fortë, dy lojtarët e kombëtares Arbnor Muja dhe Klaus Gjasula shprehen optimistë për rezultat pozitiv. Për ta dy ndeshjet e mbetura janë si në finale.

“Si çdo herë jemi përgatitur dhe jemi shumë të fokusuar. Kjo është finalja jonë. Fuqia jonë janë tifozët kuqezi, tifozët e kombëtares, jemi shumë krenar për ta dhe shpresoj që t’i gëzojmë në dy ndeshjet e fundit, së pari me Moldavinë dhe pastaj ta bëjmë festën e madhe në Tiranë”, tha Muja.

“Moldavia është një kundërshtar shumë i fortë, nuk kanë humbur asnjë ndeshje, e kemi mundur vetëm ne në Tiranë. E dimë që ndeshja është shumë e rëndësishme si një finale. Të dy ndeshjet e radhës janë si finale për ne. E dimë që është ndeshje shumë e vështirë, por ne kemi vetëbesim”, u shpreh Gjasula.

Ndërsa në ekipin kuqezi ka edhe probleme për disa nga lojtarët. Kristjan Asllani i është nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe ka rezultuar që nuk ka probleme fizike. Gjithsesi lojtari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet t’i bashkohet ekipit nesër. Më herët FSHF bëri të ditur se Arlind Ajeti ka një dëmtim në kofshën e majtë dhe do të humbë dy ndeshjet. Në vend të tij do të grumbullohet Jon Mersinaj nga Lokomotiva e Zagrebit.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share