Komandanti KFOR-it paralajmëron përforcime shtesë

RISTUCCIARRITJA E NUMRIT TË TRUPAVE NË KOSOVË ËSHTË E DOMOSDOSHME

Komandanti i KFOR-it vlerëson se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe në rajon.

Në konferencën lamtumirëse për media Ristuccia i ka përmendur incidentet e muajve të fundit, kryesisht në veri të Kosovës, dhe ka vlerësuar se të gjitha tregojnë që situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të tensionohet shpejt.

Situata tani në Kosovë është më e qetë sesa ditëve të fundit, mirëpo nëse palët nuk ulen për ta negociuar një zgjidhje politike, kjo situatë do të jetë më e cenueshme dhe më e paqëndrueshme sesa ajo paraprake.  Dy palët duhet të ulen në tavolinë negociuese. Prandaj e mbështesim dialogun. Besojmë plotësisht në përpjekjet diplomatike për ta gjetur një zgjidhje për këtë situatë” – tha Angelo Michele Ristuccia, komandant i KFOR-it.

Ai bëri të ditur se shtimi i numrit të trupave në Kosovë është e domosdoshëm, në mënyrë që KFOR-i të mund ta përmbushë mandatin që ka. Ndërsa roli i policisë sipas tij nuk mund të zëvendësohet.

Ka rikujtuar se KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e zonës kufitare të Kosovës me Serbinë dhe ka forca të angazhuar përreth saj, mirëpo që tereni problematik – kryesisht malor – lë hapësirë për qarkullime të shumëfishta.

”Situata pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë rreth 570 zyrtarë policorë, e ka krijuar një vakum shumë të rrezikshëm në veri. Kjo pasiguri përbën shqetësim për ne. Prandaj bëjmë thirrje për ulje të menjëhershme në tavolinën e negocimit” – tha Angelo Michele Ristuccia, komandant i KFOR-it.

E për logot e KFOR-it që u gjetën pas sulmit në Banjskë e që ishin përdorur nga sulmuesit serbë, Ristuccia ka deklaruar se KFOR-i po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme.

“Janë duke u bërë hetime dhe kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të zvogëluar rrezikun e asaj që ne e quajmë ‘sulm nën flamur të rremë’’ – tha Angelo Michele Ristuccia, komandant i KFOR-it.

Situata është përshkallëzuar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmit është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share