Grupet kolone më herët u kanë bërë thirrje mbështetësve të futen në kompleksin Al-Aksa për të shënuar festën hebraike Shavuot, e cila zgjat deri të hënën
Qindra kolonë izraelitë sot hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar për të shënuar festën hebraike Shavuot.
Në një deklaratë, Departamenti i Vakëfeve Islame i drejtuar nga Jordania, i cili mbikëqyr vendet e shenjta në Kuds, tha se më shumë se 450 kolonë hynë përmes portës Al-Mugharbah të kompleksit nën mbrojtjen e policisë izraelite.
Sipas deklaratës, një numër i madh i policisë izraelite u vendosën në këtë lokacion dhe mbyllën xhaminë Al-Qibli, një nga xhamitë e kompleksit Al-Aksa.
Grupet kolone më herët u kanë bërë thirrje mbështetësve të futen në kompleksin Al-Aksa për të shënuar festën hebraike Shavuot, e cila zgjat deri të hënën.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë “Mali i Tempullit”, duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Që nga viti 2003, Izraeli ka lejuar kolonët në kompleks pothuajse çdo ditë.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./AA