Rubrika “Pak Vëmendje” ka shërbyer këtë herë në turnin e natës të punonjësve që mbledhin mbeturinat. Moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea i është bashkuar Tanit, Arianit dhe Orinelit, të cilët i kanë treguar proceset e punës së tyre.
Ndërsa janë ndalur për një pushim të shkurtër dhe për të ngrënë diçka, grupi nis të shkëmbejë një bisedë me moderatorin duke i treguar për gjëra të çmuara që gjenden në kazanët e mbeturinave. Tani nis të tregojë edhe një histori të disa viteve më parë ku një punonjësi i erdhi një mundësi e artë, por që i humbi prej paditurisë.
Ardit Gjebrea: Kështu varëse floriri, gjëra ka?
Tani: Po, kanë gjetur.
Ardit Gjebrea: Unaza?
Tani: Po, para ca vitesh një punëtor si puna e këtyre kështu një thes plot, qese të zezë me Dollarë. E mo, me Dollarë 100-sh, por s’i njihte se çfarë ishin.
Ardit Gjebrea: Na ngeli buka në gojë.
Tani: I pa kështu ai, por ishte dimër si tani, ftohtë dhe merr këto Dollarët, po s’i njihte se çfarë ishin, s’e kishte idenë fare dhe i hedh në zjarr për t’u ngrohur.
Ardit Gjebrea: S’kishte parë Dollarë ai?
Tani: Fare, s’e kishte idenë se çfarë ishin.
Ardit Gjebrea: E çfarë bëri?
Tani: Bëri zjarr, duke i hedhur brenda, duke u ngrohur, duke i djegur.
Ardit Gjebrea: Po kaq shumë Dollarë ishin?
Tani: Në qese të zezë pra.
Ardit Gjebrea: Dhe ngrohej me Dollarë?
Tani: Po dhe mori një tufë vetëm dhe i futi në xhep. Nja 5-6 mijë Dollarë. Shkon në shtëpi ky dhe i thotë shokëve “gjeta këto, çfarë janë këto? Si i gjete”, i thonë. “I gjeta në plehra. Po ku i ke? I hodha në zjarr për t’u ngrohur. Si i hodhe në zjarr, janë Dollarë. Si Dollarë, po sa Lekë bëjnë këto? 6 milionë Lekë. Si 6 milionë Lekë, unë kam hedhur 100 copë si puna e këtyre”. S’e mbajti dot Telebingon./tvklan.al