Kokaina me vlerë 40 milionë Euro, 10 të arrestuarit dalin sot para gjykatës

Ditën e sotme do t’u komunikohet masa e sigurisë 10 personave të arrestuar për sasinë e kapur të drogës në Frakull të Fierit.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se Gjykata e Posaçme pritet të rikonfirmojë sot masat e “Arrestit me burg” për Viktor Çervanakun, Zenel Çervanakun, Denilson Çervanakun, Enxhi Ferhatin, Nikolin Gjolenën, Klajdi Vrionin (Kodra), Julian Malajn, Redion Meshin, Bledar Matoshin dhe Marildo Ronën.

Të arrestuarit për 430 kg lëndë narkotike do të pyeten në gjykatë lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Mësohet se pikënisja kryesore e zbulimit të kësaj lënde narkotike ka qenë nga autoritetet doganore të Malit të Zi, të cilët kishin ngritur dyshime lidhur me vlerën e ngarkesës dhe transportit të saj.

Në datën 7 Korrik të këtij viti ka mbërritur kontejneri në portin e Barit në Malin e Zi, i cili përmbante 20 paleta. Autoritetet doganore kanë kontrolluar dhe skanuar ngarkesën e nisur nga një port në Kolumbi, por nuk kanë evidentuar lëndë narkotike.

Më pas një pjesë e kësaj ngarkese është dërguar pranë Policisë Shkencore në Mal të Zi aty ku edhe u evidentua që bëhej fjalë për kokainë të dekompozuar. Menjëherë janë vënë në dijeni autoritetet shqiptare dhe nëpërmjet agjentëve të BKH-së është bërë një vëzhgim intensiv për 3 muaj.

Në këtë skemë është përfshirë edhe një kolumbian. Ai është ende në kërkim. Siç raportoi gazetari Bajraktaraj ai është i dyshuar si personi që bënte ndarjen e kokainës nga plehu kimik, ndërsa dyshohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sipas Prokurorisë së Posaçme vlera e 430 kg kokainë nëse do hidhej në treg do të kapte vlerën e 40 milionë Euro./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share