Tragjedia në Koçan vazhdon t’i përplas partitë politike opozitare dhe Qeverinë. Në vigjilje të kësaj, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon transparencë të plotë nga qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me aktivitetet dhe përgjegjësinë e agjencisë së sigurimit “Rubikon” në natën tragjike në Koçan.
Sipas integristëve, kjo agjenci, e cila është e afërt me partinë në pushtet, ishte përgjegjëse për sigurinë e kabaresë në Koçan natën kur ndodhi tragjedia që mori 59 jetë të pafajshme.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
Prandaj, qeveria ka për detyrë t’i japë publikut përgjigje të qarta:
- Kush janë klientët e tjerë të “Rubikon”?
• A kanë pasur kontrata të rregullta sigurie dhe sigurues të licencuar?
• A ka kryer ndonjëherë MPB inspektim ose kontroll mbi këtë agjenci?
• A po mbrohet kjo kompani për shkak të lidhjeve të saj me pushtetin?
• A është e vërtetë që kjo agjenci i shantazhon kompanitë që ta angazhojnë, duke u mburrur me lidhjet e saj të ngushta me autoritete të larta partiake?
Shtojnë se Qeveria duhet të japë llogari për dështimet e saj në vend se ta përdorë drejtësinë për të goditur kundërshtarët politikë.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
Qeveria duhet të japë llogari për dështimet e saj dhe për ata që vërtet mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi. BDI kërkon një hetim të plotë, të paanshëm dhe të drejtë për këtë rast, si dhe përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë lejuar një situatë të tillë të ndodhë. Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo lojëra politike dhe mbulim të skandaleve.
Kjo nuk është hera e parë që BDI-ja akuzon pushtetin për manipulim të drejtësisë dhe selektivitet. Me të njëjtat dyshime për selektivitet dhe fshehje të përgjegjësve të vërtetë, pushtetin e akuzon edhe LSDM-ja. /tvklan.mk/